Trajnerja e fitnesit nga Miami, Lilian Zamora Alonso, ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ngriti rreth 290 kilogramë me ushtrimin e njohur si hip thrust, duke vendosur rekord botëror për peshën më të madhe të ngritur nga një grua në këtë ushtrim.
Zamora Alonso e realizoi provën më 27 mars në palestrën Miami Iron Gym, ndërsa pesë muaj më vonë u njoftua se rekordi i saj ishte miratuar zyrtarisht, transmeton Telegrafi.
Ajo, e cila merret me ngritjen e peshave që nga mosha 16-vjeçare, tha se vendosi të synonte rekordin pasi mësoi se shifra e mëparshme ishte 605 paundë, vetëm rreth 11 kilogramë më shumë se rekordi i saj personal në atë kohë.
Më pas, sportistja arriti ta ngrinte rekordin personal në 670 paundë, por për provën zyrtare vendosi të përdorte një peshë më të ulët.
“U frikësova pak, sepse duhet të regjistrosh gjithçka dhe t’i dërgosh materialet që ato të shqyrtohen. Sa më e madhe të ishte pesha, aq më shumë kohë do të na duhej për regjistrimin dhe aq më shumë mundësi do të kishte për gabime. Nuk donim që kjo të ndodhte, ndaj zgjodhëm 639 paundë”, tha ajo për WLRN Public Media.
Zamora Alonso tregoi se aktualisht stërvitet për të arritur objektivat e saj personale, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të synojë një tjetër rekord botëror. /Telegrafi/