Gruda merr 10-shin te Gjermania, Klopp: Driblues fantastik

Gruda merr 10-shin te Gjermania, Klopp: Driblues fantastik

Written by

in

Gruda merr 10-shin te Gjermania, Klopp: Driblues fantastik

Jurgen Klopp i ka vënë tashmë Brajan Grudës një etiketë mjaft premtuese. “Është një lojtar fantastik, që e pëlqen lojën”, thotë trajneri i kombëtares gjermane për 22-vjeçarin, duke vlerësuar “cilësitë e tij prej futbollisti rruge”, të cilat Gruda pritet t’i tregojë tani për herë të parë në skenën e madhe ndërkombëtare.

Në skuadrën e Kloppit, Gruda mund të shpresojë për ndeshjen e tij të parë me kombëtaren në krahun e djathtë. Në atë pozicion, siç tha Klopp, ai “nuk ka dyzet alternativa”.

Trajneri i kombëtares gjermane i ka dhënë menjëherë edhe një numër të veçantë në fanellë: 10-ën. Ky numër është aktualisht i lirë, pasi titullari me numrin 10, Jamal Musiala, është i dëmtuar. Ndër emrat e njohur që kanë mbajtur më parë fanellën me numrin 10 janë Gunter Netzer, Lothar Matthaus, Mesut Ozil dhe Lukas Podolski.

Në klubin e tij, Gruda, i cili ka edhe pasaportë shqiptare, prej kohësh po ngjall entuziazëm dhe gjatë muajve të fundit është shndërruar në një nga lojtarët ofensivë më të spikatur të Bundesligës. Shenjat e tij dalluese janë shpejtësia dhe driblimet e jashtëzakonshme.

Në ndeshjen e fundit kundër FC Augsburg, lojtari i Leipzigut realizoi plot dhjetë driblime të suksesshme, rekordi më i mirë i një lojtari në një ndeshje të Bundesligës këtë sezon. Dy prej tyre përfunduan me asistime spektakolare për gol.

Në një ligë me Yamal, Diomande dhe Mbappe

Gruda numëron gjithsej 36 driblime të suksesshme këtë sezon. Në pesë ligat kryesore të Evropës, më shumë kanë vetëm Lamine Yamal (49) i FC Barcelona, si edhe Yan Diomande (37) dhe Kylian Mbappe (37) i Real Madridit.

Tani Gruda pritet t’i tregojë këto cilësi edhe me fanellën e Gjermanisë në krahun e djathtë, ku do të rivalizojë me Lennart Karl të Mynihut për vendin e lirë. Me Grudën në të djathtë dhe Derry Scherhant të Freiburgut, gjithashtu një driblues i fortë, në të majtë, Klopp do të kishte në dy krahët dy lojtarë jashtëzakonisht të shpejtë, të aftë për të furnizuar me krosime sulmuesit e qendrës Kai Havertz ose Niclas Fullkrug.

Ndërkohë, trajneri Klopp do të duhet t’ia dalë pa talentin e ri Wael Mohya. Profesionisti 17-vjeçar i Borussia Monchengladbach do të udhëtojë me kombëtaren gjermane drejt Beogradit, por nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen.

Për “dribluesin” Gruda, kjo do të ishte përpjekja e tretë për të debutuar me kombëtaren gjermane. Paraardhësi i Kloppit, Julian Nagelsmann, e kishte ftuar talentin e atëhershëm të Mainzit si lojtar shtesë në stërvitje që përpara Kampionatit Evropian 2024. Në një ndeshje miqësore kundër Ukrainës, Gruda arriti të përfshihej në skuadër, por nuk u aktivizua.

Jurgen Klopp e kishte ftuar Grudën edhe në grumbullimin e tij të parë në shtator, por atëherë lojtari u detyrua të tërhiqej për shkak të një dëmtimi në muskujt e barkut.

Edhe babai i tij Bujar Gruda ka qenë futbollist profesionist

Mjeshtri i driblimit iu bashkua Leipzigut në shkurt 2026 si i huazuar nga klubi i Premier League, Brighton and Hove Albion, ku nuk kishte arritur të dilte nga roli i lojtarit rezervë. Gjatë fazës së dytë të Bundesligës, sipas marrëveshjes, pritet të hyjë në fuqi detyrimi për blerjen e Grudës, çka do ta detyrojë RB Leipzig t’i paguajë Brightonit 25 milionë euro.

Edhe babai i Grudës, Bujari, ka qenë futbollist profesionist. Ai ka luajtur me KS Vllaznia të Shkodrës në Kupën UEFA në sezonin 1991/92.

Brajan Gruda ka lindur në Speyer të Gjermanisë. Në atë kohë, babai i tij luante për FV Speyer. /ard/dpa/dw