Videoloja Grand Theft Auto VI (GTA 6), e lansuar pas 13 vitesh pritjeje, ka tërhequr vëmendjen e miliona lojtarëve në mbarë botën, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë së videolojërave.
Por, përtej historisë dhe grafikave që ofron loja e re e Rockstar Games, janë zbuluar disa detaje interesante që lidhen drejtpërdrejt me shqiptarët.
Nga një personazh me emër shqiptar, te një teori që lidhet me hakerin e famshëm Arion Kurtaj dhe përfshirja e këngëtares Dua Lipa në kolonën zanore, GTA 6 ka nxitur diskutime të shumta në komunitetin shqiptar të lojtarëve.
Një nga detajet që ka marrë vëmendje të veçantë është personazhi Burim, i cili shfaqet gjatë misionit “Day Release”, ku ndihmon protagonisten Lucia të heqë byzylykun elektronik që monitoron lëvizjet e saj.
Gjatë këtij misioni, Mattia ua prezanton Burimin protagonistëve Lucia dhe Jason si personin që mund ta zgjidhë problemin.
“Mos u shqetësoni, prandaj e kam Burimin këtu. Burim magjistari. Ai do ta heqë menjëherë monitorin”, thotë Mattia.
“Duket si model i vjetër, është e lehtë”, përgjigjet Burimi, përpara se të ndërhyjë në pajisje dhe ta largojë atë.
– YouTube www.youtube.com
Për lojtarët shqiptarë, emri Burim ka qenë i mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen.
Dua Lipa, një tjetër lidhje shqiptare me GTA 6
Prania shqiptare në videolojën e famshme nuk përfundon me personazhin Burim.
Edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është pjesë e projektit muzikor që shoqëron GTA 6.
Artistja me prejardhje nga Kosova kontribuon me këngën e saj solo “Go Easy”, e përfshirë në albumin Grand Theft Auto VI: The Album, i cili përmban gjithsej 34 këngë.
– YouTube www.youtube.com
Përfshirja e Dua Lipës në kolonën zanore të një prej videolojërave më të njohura në botë përbën një tjetër moment interesant për fansat shqiptarë, duke e lidhur muzikën e artistes me një projekt që ndiqet nga miliona njerëz.
Përveç këtyre referencave, lojtarët kanë raportuar se në disa skena të GTA 6 dëgjohen edhe biseda në gjuhën shqipe.
Këto detaje kanë nxitur interesimin e komunitetit shqiptar, ndërsa disa fansa spekulojnë se përfshirja e tyre mund të lidhet edhe me praninë e shqiptarëve në Florida, shtetin amerikan që ka shërbyer si frymëzim për botën e GTA 6.
Grand Theft Auto VI (GTA 6) është një nga videolojërat më të shumëpritura në historinë e industrisë së lojërave elektronike.
E zhvilluar nga Rockstar Games, ajo vjen 13 vjet pas GTA 5, duke sjellë një botë të hapur më të detajuar, grafikë të avancuar dhe një histori të re me protagonistët Jason dhe Lucia.
Ngjarjet zhvillohen në shtetin imagjinar Leonida, të frymëzuar nga Florida e SHBA-së, ndërsa qyteti i famshëm Vice City rikthehet me një pamje moderne.
Loja ndërthur aksionin, krimin dhe aventurën, duke u mundësuar lojtarëve të eksplorojnë një botë virtuale të pasur me personazhe, aktivitete dhe situata të ndryshme.
GTA 6 konsiderohet një nga projektet më ambicioze të Rockstar Games, ndërsa publikimi i saj ka nxitur interesim të jashtëzakonshëm në mesin e komunitetit botëror të lojtarëve. /Telegrafi/