Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është shpallur pjesërisht i pafajshëm dhe fajtor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin që lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi ka bërë të ditur se Kuçi është shpallur i pafajshëm për pikën 18 të aktakuzës për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa është shpallur fajtor për pikën 19 të aktakuzës të së njëjtës vepër penale.
“Hajredin Kuçi shpallet i pafajshëm për mosbindje të gjykatës sipas nenit 393 dhe sipas pikës 18 të aktakuzës dhe fajtor për mosbindje të gjykatës sipas nenit 393 sipas pikës 19 të aktakuzës…Ju shqiptohet dënim me kusht, me burgim një mujor. Për këtë vepër, atij i është shqiptuar dënimi prej një muaji burgim me kusht”, ka thënë gjykatësi.
Kuçi ishte njëri nga pesë të akuzuarit në këtë proces gjyqësor, së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.
Rasti kishte të bënte me pretendimet për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë dhe ndikim të mundshëm te dëshmitarët në procesin gjyqësor në Hagë.
Aktgjykimi ndaj Kuçit është pjesë e procesit të veçantë gjyqësor për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/