Një komandant i lartë i Hamasit, i cili kishte ndihmuar në planifikimin dhe drejtimin e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, është vrarë në një sulm ajror izraelit, ka njoftuar grupi palestinez.
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, bëri të ditur se 53-vjeçari Samir Abu Younis, komandant i brigadës së Rafahut, u vra të shtunën.
Ushtria izraelite konfirmoi se e kishte vrarë Abu Younisin gjatë një sulmi të kryer gjatë natës në jug të Rripit të Gazës. Sipas saj, ai kishte marrë drejtimin e brigadës së Rafahut pas vrasjes së paraardhësit të tij, Nael Abu Obeid, më 15 shtator.
Mjekët njoftuan se Abu Younis u vra dhe disa persona të tjerë u plagosën nga një sulm ajror që kishte në shënjestër atë, në një rrugë në zonën Mawasi të Khan Younisit.
Sipas Hamasit, Abu Younis iu bashkua krahut të armatosur të grupit në vitin 1991 dhe, para se të emërohej komandant i brigadës, kishte mbajtur disa pozita të larta operacionale në Rafah.
Grupi bëri të ditur se varrimi i tij do të mbahej të dielën pasdite në Khan Younis, transmeton Telegrafi.
Megjithëse armëpushimi në Gaza hyri në fuqi në tetor të vitit 2025, duke ndalur luftimet në shkallë të gjerë, sulmet izraelite kanë vazhduar edhe gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se që nga fillimi i armëpushimit janë vrarë të paktën 1,600 palestinezë. Gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë edhe pesë ushtarë izraelitë.
Ndërkaq, autoritetet palestineze bëjnë të ditur se më shumë se 74 mijë persona janë vrarë në Gaza që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, më 7 tetor 2023. Në atë sulm, në jug të Izraelit u vranë rreth 1,200 persona. /Telegrafi/