Hamilton kritikon sërish Leclercin pas përplasjes në Meksikë

Hamilton kritikon sërish Leclercin pas përplasjes në Meksikë

Written by

in

Përmes një postimi në Instagram, piloti britanik ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si përfundoi gara, duke vlerësuar punën e mekanikëve dhe inxhinierëve të ekipit, por edhe duke lënë të kuptohet se situata në pistë duhet të trajtohet me më shumë përgjegjësi.

“Fundjava jonë ishte e mbushur me vështirësi. Na u desh të përballeshim me shumë probleme, por mekanikët dhe inxhinierët tanë bënë një punë të pabesueshme. Këtë vit jemi rritur shumë së bashku dhe ky progres ka ardhur falë një pune të madhe nga të gjithë, si në pistë, ashtu edhe në fabrikë. Prandaj dhemb shumë të humbasësh atë që mund të ishte një fitore”, ka shkruar Hamilton.

Shtatë herë kampioni i botës nuk e ka fshehur frustrimin, duke theksuar se Ferrari duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të arritur rezultate të mëdha.

“Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet, prandaj frustrimi është shumë i madh. E di mirë se çfarë qëndron pas mundësisë për të arritur këto rezultate. Skuadra ka standardet e saj, unë kam pritshmëritë e mia dhe tifozët presin shumë nga ne. Të gjithë meritojnë të na shohin duke dhënë maksimumin dhe duke fituar. Ne jemi këtu për të garuar dhe duam të fitojmë”, ka shtuar britaniku.

Më pas, Hamilton ka dërguar një mesazh që duket se i drejtohet drejtpërdrejt Leclercit, duke nënvizuar se rivaliteti mes pilotëve nuk duhet të dëmtojë interesat e skuadrës.

“Beteja në pistë është e domosdoshme, por kur dëmtohet skuadra, duhet të jemi të sinqertë për ta pranuar dhe për të mësuar nga ajo që ka ndodhur. Mund të bëjmë më shumë, duke respektuar përgjegjësitë që kemi ndaj të gjithë njerëzve që na ndihmojnë të dalim në pistë”, ka shkruar ai.

Pavarësisht zhgënjimit, Hamilton ka theksuar se besimi i tij te Ferrari mbetet i palëkundur dhe se është i përkushtuar për ta ndihmuar ekipin të arrijë objektivat.

Në të njëjtin postim, britaniku ka uruar edhe Kimi Antonellin për titullin e kampionit të botës, duke vlerësuar rrugëtimin e tij dhe rekordin e arritur.

“Të ndiqja nga afër rrugëtimin tënd dhe të festoja aty me ty ishte një nga momentet më të bukura të vitit tim. E ke merituar plotësisht dhe ke vendosur një rekord që do të zgjasë në kohë. Ishte bukur të shihje skuadrën e Mercedesit duke festuar me ty. Shijoje këtë moment dhe mos e humb besimin dhe energjinë tënde”, ka përfunduar Hamilton.

Burimi: RTKLive