Hamza: Pres që presidentja ta dekretojë pa vonesa Ligjin për Specialen

Hamza: Pres që presidentja ta dekretojë pa vonesa Ligjin për Specialen

Written by

in

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se para dy ditësh është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe se, si rrjedhojë e diskutimeve mes tyre, një ditë më pas është miratuar themelimi i grupit punues për hartimin e një strategjie shtetërore në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në shkallën e Apelit.

Hamza, gjatë fjalës së tij në Kuvend, e ka cilësuar këtë si një hap të mirë, duke theksuar nevojën për një strategji të mirëfilltë shtetërore.

Hamza ka folur gjithashtu për afatin ligjor që Kuvendi ka për ta proceduar ligjin te presidentja për dekretim, duke shprehur besimin se ajo do ta dekretojë pa vonesa.

“Sot jemi në ditën e fundit të afatit ligjor të Kuvendit për ta proceduar këtë ligj të presidentja për dekretim. Besoj shumë se edhe presidentja do ta dekretojë pa vonesa. Mbrojtja e luftës së UÇK-së është përgjegjësi edhe ndaj brezave që e kanë trashëguar lirinë. Unë dhe kryeministri jemi takuar përsëri para dy ditësh dhe si rrjedhojë e diskutimeve dje është miratuar themelimi i grupit punues për strategji shtetërore për mbrojtjen e UÇK-së në shkallën e Apelit, ky është hap i mirë. Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore”, ka deklaruar Hamza.

Hamza është ndalur edhe te ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, si dhe te diskutimet lidhur me ndikimin e mundshëm të tyre.

Hamza ka theksuar se ndryshimet ligjore nuk janë bërë për të kënaqur dikë, por për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimet e jashtme. Sipas tij, shqetësimi kryesor duhet të jetë trajtimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe jo nismat ligjore të Kuvendit të Kosovës.

“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çdo pale. Kosova nuk ka deleguar sovranitetin e vetë, as Dhomave të Specializuara, as askujt tjetër. Ky Kuvend dhe deputetët e tij si përfaqësues të popullit e kanë të drejtën e vetë të hartojnë e miratojnë çfarëdo ligji që e konsiderojnë të rëndësishëm për të mbrojtur vlerat tona dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst nëse dikush shqetësohet, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë jo për nismat ligjore të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Hamza.

Burimi: Dukagjini