
Afati për aplikim për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitin 2026-2027 do të jetë i hapur nga 19 tetori 2026 deri më 31 mars 2027.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, familjet që i plotësojnë kriteret mund të përfitojnë subvencionim të faturave të energjisë elektrike, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe mund të lidhet vetëm me një njehsor elektrik.
Si mund të aplikohet?
Aplikimi realizohet në mënyrë elektronike përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”.
Të interesuarit mund të aplikojnë në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1
Ndërkaq, familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
Afati i aplikimit deri më 31 mars 2027
Afati për aplikim ka filluar më 19 tetor 2026 dhe përfundon më 31 mars 2027.
Subvencionimi nis nga muaji në të cilin aprovohet aplikimi dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për këtë arsye, ministria rekomandon që familjet që i plotësojnë kriteret të aplikojnë sa më herët, në mënyrë që të përfitojnë nga mbështetja gjatë periudhës së programit.
Të dhënat do të verifikohen nga institucionet
Ministria ka bërë të ditur se të dhënat e deklaruara gjatë aplikimit do të verifikohen nga institucionet përkatëse.
Deklarimi i të dhënave të pasakta ose të paplota mund të çojë në refuzimin e aplikimit ose në detyrimin për kthimin e mbështetjes së përfituar.
Kriteret
Mbështetja në formë të subvencionimit të faturës së energjisë elektrike, sipas këtij programi, u ofrohet ekonomive familjare që përdorin energjinë elektrike për nevoja të amvisërisë dhe të cilat pas shqyrtimit dhe verifikimit të të dhënave, rezultojnë se i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë program.
Për të përfituar nga ky program, Ekonomia Familjare duhet të plotësojë në mënyrë kumulative kriteret, si në vijim:
-Të gjithë anëtarët e Ekonomisë Familjare të jenë shtetas të Republikës së Kosovës me banim të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës ose shtetas të huaj të pajisur me leje të qëndrimit të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës;
-Të hyrat mesatare mujore për një periudhë prej 12-të muajve të fundit të Ekonomisë Familjare, të jenë të barabarta ose më pak se njëqind e pesëdhjetë euro (150 €) për anëtar të Ekonomisë Familjare;
-Vlera kumulative e patundshmërive (testi i aseteve) në pronësi të anëtarëve të Ekonomisë Familjare të jetë e barabartë ose më pak se njëqind mijë euro (100,000.00 €).
Kujtojmë që ditë më parë, këtë çështje e ka trajtuar edhe KIKS Kosova.