
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik, përmes të cilit do të ofrohen gjithsej 313 vende.
Sipas Vitisë, ky është konkursi i katërt për specializim që hapet brenda më pak se katër vjetësh, ndërsa prioritet u është dhënë fushave deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.
Një risi e këtij konkursi është se, për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për specializim në mjekësi familjare.
Po ashtu, procesi i poentimit do të zhvillohet përmes një sistemi digjital. Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët bazuar në kriteret e konkursit. Pas verifikimit nga bordi, secili kandidat do të ketë mundësi t’i shohë pikët e veta.
Vitia ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet edhe një konkurs tjetër për shkollim specialistik, i cili do t’u dedikohet nevojave të institucioneve shëndetësore private.
“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces”, ka deklaruar Vitia, duke u uruar suksese të gjithë kandidatëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali