Haradinaj reagon ashpër pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvend: Turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën

Haradinaj reagon ashpër pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvend: Turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën

Written by

in

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si një turp të madh dhe goditje të rëndë për Kosovën, duke kritikuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.

“Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend është një turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën. Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”, ka deklaruar Haradinaj.

Reagimi i tij vjen pasi presidentja Shiroka-Pula, të enjten, më 22 tetor, vendosi ta kthejë ligjin në Kuvend, pas kërkesës zyrtare të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si sponsorizuese e ndryshimeve ligjore.

Sipas njoftimit të Presidencës, vendimi synon t’i japë Kuvendit mundësinë për të rishqyrtuar dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka theksuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, duke ritheksuar kundërshtimin e saj ndaj çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës.

Ndërkaq, PDK-ja kishte sqaruar se kërkesa për rikthimin e ligjit nuk nënkupton tërheqje nga ndryshimet e propozuara, por synon përmirësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike.

Kjo parti ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi.

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor 2026, ndërsa vendimi i presidentes për rikthimin e tij ka hapur rrugën për një shqyrtim të ri parlamentar.

Deklarata e Haradinajt shënon një reagim kundërshtues ndaj këtij vendimi, të cilin ai e konsideron të dëmshëm për Kosovën./Telegrafi.