Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e dy ministrave, duke thënë se institucionet që ata drejtojnë kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që kanë pasur në dispozicion.
“Çfarë faji ka ministrja Gërvalla e ministri Sveçla, nëse Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme i kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që i kanë në dispozicion? Cila është përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë këtu apo ministri i Punëve të Brendshme?”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te mënyra se si institucionet e vlerësojnë rrezikun, shkëmbejnë informacionet dhe sigurojnë zbatimin e masave mbrojtëse.
Sipas saj, në rastin e Arlinda Zekajt duhet të hetohen veprimet ose mosveprimet e secilit institucion të përfshirë.
“Për këtë arsye, mënyra se si vlerësohet rreziku, si shkëmbehen informacionet mes institucioneve dhe si ndiqet zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë. Në rastin e Arlindës kërkojmë të hetohet veprimi apo mosveprimi i secilit institucion që ka qenë i përfshirë”, ka thënë ajo.
Deklarata e Haxhiut vjen në një ditë kur, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, janë shtuar kërkesat për llogaridhënie institucionale. Gjatë ditës, është kërkuar edhe dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Burimi: Dukagjini
