
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në nisje të vazhdimit të seancës plenare, ka bërë thirrje për solidaritet në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Ajo ka bërë të ditur se në ulëset e deputetëve është vendosur nga një shall portokalli, ngjyra simbol e kësaj fushate në mbarë botën.
Haxhiu ka theksuar se edhe ndërtesa e Kuvendit është ndriçuar me këtë ngjyrë, duke shtuar se përmes shallëve shprehet solidariteti në luftën kundër dhunës, njofton Klankosova.tv.
Ndërkohë, në vazhdimin e seancës plenare janë paraparë disa pika të papërfunduara nga mbledhjet e 12, 13 dhe 19 nëntorit.
Ndër to janë votimi i rezolutave për mungesën e barnave onkologjike dhe gjendjen në sektorin e energjisë elektrike, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Në rend dite është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, si dhe propozimi i LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt.