Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ajo ka folur për Komisionin Hetimor i cili u formua pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Haxhiu ka thënë se si kryetare e Kuvendit do të jetë në dispozicion të plotë të komisionit, ndërsa ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e ftuar si dëshmitarë të paraqiten dhe t’u përgjigjen kërkesave të tij.
“Gjatë kohës sa jemi këtu, tashmë komisioni hetimor po mban takimin e parë, për të vlerësuar, për të trajtuar, për të bërë hetime, në të gjitha procedurat për rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj. Si kryetare e Kuvendit, do të jem në dispozicion të plotë për të trajtuar kërkesat që Komisioni Hetimor ka dhe unë pres të gjithë zyrtarët që do të jenë në listën e dëshmitarëve të këtij komisioni, që të vijnë dhe t’i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor. Pa dyshim që prokuroria do të duhej të merrej me hetime në këtë rast, përkatësisht do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetime në raport me veprimet dhe mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj. Pra, Komisioni Hetimor është vetëm një mekanizëm shtesë që do të përpilojë në fund dokument për këtë rast dhe do ta drejtojë në prokurorinë përgjegjëse, uroj që ajo të jetë Prokuroria Speciale, për shkak se këtu përfshihen zyrtarë të lartë, përfshihen kryeprokurorë, prokurorë, policë, zyrtarë të tjerë të institucioneve, prandaj bie në fushëveprimtarinë e kësaj prokurorie”, theksoi ajo.
Burimi: RTKLive
