Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë vizitës së saj zyrtare në këtë shtet.
Sipas njoftimit, në takim, Haxhiu dhe Gashi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e integrimit evropian të rajonit.
Haxhiu u zotua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, duke theksuar se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një shtet të huaj që nga marrja e detyrës së kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Ajo shprehu mirënjohje për qëndrimin mbështetës të Maqedonisë së Veriut ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe iniciativa shumëpalëshe e rajonale.
Ndërkaq, Gashi vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy kuvendeve karakterizohet nga dinamika intensive dhe shprehu bindjen se ai do të vazhdojë të forcohet.
Të dy theksuan rëndësinë e koordinimit për çështjet me interes rajonal dhe të bashkëpunimit për përshpejtimin e integrimit evropian, bazuar në përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e reformave.
Ata diskutuan edhe për rëndësinë e kontakteve ndërmjet qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe bizneseve, si dhe shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë, duke vënë në pah nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.
Haxhiu dhe Gashi shprehën bindjen se vizita do të ndihmojë në forcimin e besimit të ndërsjellë dhe në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.
Burimi: Dukagjini
