Haxhiu: Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë për lirinë e Kosovës

Haxhiu: Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë për lirinë e Kosovës

Written by

in

Në një prononcim për media, Haxhiu ka kujtuar se 28 Nëntori shënon jo vetëm Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997.

Ajo ka theksuar rëndësinë historike të Prekazit dhe qëndresën e familjes Jashari në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

“Flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenare u ngrit nga Skënderbeu edhe në Krujë më 1443. Nën atë flamur dhe nën udhëheqjen e Ismail Qemalit më 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, dhe më 28 Nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht para popullit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Duke folur për kontributin e familjes Jashari, ajo ka thënë se qëndresa e tyre ndikoi në shtimin e radhëve të UÇK-së, ndërsa ka shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre.

“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës; as ai, as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan, ata rezistuan”, ka thënë Haxhiu.

Në fund, kryetarja e Kuvendit u ka uruar 28 Nëntorin shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë, duke bërë thirrje për ruajtjen e flamurit kombëtar dhe vazhdimin e angazhimit për ditë më të mira.

Burimi: RTKLive