Hendbollistet e Kosovës kanë bërë një tjetër hap të rëndësishëm drejt Kampionatit Botëror 2027, duke siguruar për herë të tretë radhazi kualifikimin në raundin e fundit të kualifikimeve për ngjarjen më të madhe të hendbollit botëror.
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e kthimit ndaj Estonisë, të zhvilluar të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, “Dardanet” arritën ta sigurojnë avancimin falë fitores bindëse të së premtes, me rezultat 39:22.
Në ndeshjen e dytë, Kosova pësoi humbje me rezultat 27:25, por epërsia prej 17 golash nga përballja e parë rezultoi vendimtare për kualifikimin.
Pjesa e parë e takimit të së shtunës përfundoi baras, 14:14, ndërsa edhe në minutat e para të pjesës së dytë zhvillimi i lojës ishte i ekuilibruar. Megjithatë, Estonia arriti të krijonte epërsi deri në pesë gola rreth minutës së 50-të.
“Dardanet” reaguan në vazhdim, duke përmirësuar lojën në mbrojtje dhe duke qenë më efikase në sulm. Kosova ngushtoi diferencën, por nuk arriti ta shmangte humbjen. Megjithatë, rezultati i ndeshjes së parë bëri që kombëtarja kosovare të mos rrezikonte kualifikimin.
Ky është një sukses i rëndësishëm edhe për përzgjedhësin kroat Nenad Shoshtaric, i cili e ka udhëhequr Kosovën edhe në Lojërat Mesdhetare, ku kombëtarja ishte paraqitur kryesisht me lojtare të reja.
Për të, ndeshjet ndaj Estonisë ishin dy sfidat e para të rëndësishme në këtë rrugëtim, të cilat Kosova i kaloi me sukses./Telegrafi/