Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, i cili mban numrin 17 në fletëvotim.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar të drejtën e shqiptarëve të këtyre komunave për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në vendlindje, me mundësi të barabarta. Sipas tij, përgjigjja ndaj diskriminimit, përjashtimit dhe shtypjes duhet të jetë demokratike, përmes pjesëmarrjes në votime.

“Gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar”, ka shkruar ai.

Kurti u ka kërkuar edhe shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës të dalin në zgjedhje dhe të votojnë listën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare.

Ai ka kujtuar takimin e 29 shtatorit me drejtuesit e këtyre subjekteve në zyrën e tij, i cili, sipas tij, u përmbyll me marrëveshjen për të garuar së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”.

“Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, ka përfunduar Kurti.

Burimi: Dukagjini