Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar humbje të thellë nga Rusia, me rezultat 37:8, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në turneun ndërkombëtar “IHF Nations Trophy”, që po zhvillohet në Kranevo të Bullgarisë.
Pavarësisht disfatës së rëndë, kombëtarja kosovare ka siguruar kalimin në gjysmëfinale të këtij turneu, falë fitores së rëndësishme ndaj Belgjikës në ndeshjen e parë.
Përballja me Rusinë dëshmoi dallimin në nivelin e dy kombëtareve, pasi kundërshtari kishte në dispozicion hendbolliste me përvojë të madhe ndërkombëtare, përgatitje më të lartë fizike dhe epërsi në shtatlartësi.
Kosova, ndërkohë, në këtë turne po paraqitet me një ekip të cunguar, pasi i mungojnë dhjetë lojtare, duke e bërë edhe më të vështirë përballjen me një kundërshtar të këtij niveli.
Në ndeshjen hapëse, të zhvilluar të enjten, vajzat dardane kishin treguar një fytyrë krejt tjetër, duke triumfuar bindshëm ndaj Belgjikës me rezultat 32:21.
Në atë përballje, më efikasja në radhët e Kosovës ishte Vanesa Kastrati me 12 gola, ndërsa Elvina Qorraj dhe Orgesa Gola realizuan nga gjashtë herë.
Turneu “IHF Nations Trophy” përfshin gjashtë kombëtare, të ndara në dy grupe me nga tri ekipe. Dy skuadrat e para të secilit grup avancojnë në gjysmëfinale.
Ndeshjet gjysmëfinale janë në program të shtunën, më 28 nëntor, ndërsa të dielën do të zhvillohen finalja dhe përballja për vendin e tretë./Telegrafi/