Hykmete Bajrami debaton ashpër me dy deputetët e Vetëvendosjes

Hykmete Bajrami debaton ashpër me dy deputetët e Vetëvendosjes

Written by

in

Hykmete Bajrami debaton ashpër me dy deputetët e Vetëvendosjes

Një përplasje e ashpër verbale ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës mes deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, gjatë debatit për Raportin e Progresit për Kosovën.

Debati, i cili nisi me diskutime për qeverisjen dhe të kaluarën politike, u shndërrua në akuza personale, ku nuk munguan as përmendja e angazhimeve të mëparshme në institucione dhe pretendimet për një rast me provim në universitet.

Bajrami iu drejtua Qorollit duke ia kujtuar se ai kishte qenë pjesë e institucioneve edhe gjatë qeverisjeve të kaluara, përfshirë kabinetin e ish-ministrit të Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuqi.

“Për ironi të fatit ai po flet nga mesi. Por edhe sikur të ishte deputet për kohën kur po flet, të dy qeverive që iu referu, ka qenë pjesë e qeverisë. Historia është e regjistruar. Mundeni me e pa se çka ka punu. A ka qenë majtas apo djathtas”, deklaroi Bajrami.

Këto deklarata nxitën reagimin e menjëhershëm të Qorollit, i cili e akuzoi deputeten e LDK-së se po paraqiste të pavërteta.

“Bajrami flet gjëra që s’i beson as vetë. Është e turpshme për një profesoreshë që gënjen kaq hapur”, u shpreh ai.

Qorolli sqaroi se gjatë karrierës së tij kishte ofruar shërbime profesionale për qeveri të ndryshme, duke mbrojtur angazhimin e tij institucional.

Por Bajrami nuk u ndal me kaq. Ajo insistoi se deputeti i VV-së kishte qenë pjesë e kabinetit të Hajredin Kuqit, duke e sfiduar që ta mohonte publikisht këtë fakt.

“Del e demantoje nëse mundesh, po ky është sekret publik”, deklaroi Bajrami.

Përplasja kalon në akuza për angazhimin universitar

Debati mori një tjetër drejtim kur Bajrami përmendi edhe një pretendim lidhur me angazhimin akademik të Qorollit, duke aluduar për një rast me provim.

“Mos të hyjmë jashtë politikës, se duhet me tregu qysh je pas nxanë në flagrancë me një far provimi e po më vjen keq”, tha ajo.

Deputetja nuk dha hollësi të tjera për rastin që përmendi, ndërsa pretendimi i saj nuk u shoqërua me prova gjatë replikës.

Në kundërpërgjigje, Qorolli deklaroi se ndihej krenar për kontributin e tij në institucionet e Kosovës, përfshirë angazhimin në Ministrinë e Drejtësisë.

Ai më pas i ktheu akuzat ndaj Bajramit, duke kritikuar periudhën e saj në poste ministrore.

“E kuptoj ku e ka dhimtën znj. Bajrami, ka shërbyer si ministre dhe s’ka përfunduar asnjë mandat pa skandale”, deklaroi Qorolli.

Në debat ndërhyn edhe Ilir Kërçeli

Përplasja nuk përfundoi vetëm mes dy deputetëve. Në diskutim ndërhyri edhe deputeti Ilir Kërçeli, i cili iu drejtua Bajramit duke i thënë se nuk mund të mbante ligjërata.

Deputetja e LDK-së reagoi shkurt, duke e cilësuar replikën e tij si “palidhje”.

Kështu, diskutimi parlamentar për Raportin e Progresit u shoqërua me përplasje politike dhe akuza të ndërsjella, duke e zhvendosur vëmendjen nga përmbajtja e raportit te e kaluara institucionale dhe personale e deputetëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali