
Një shtetas kosovar, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës përmes INTERPOL-it, është ekstraduar nga Italia në Kosovë më 14 tetor.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Ai kërkohet nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Italisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.