IKD kërkon hetim dhe reagim institucional për rastet ndaj gazetarëve

IKD kërkon hetim dhe reagim institucional për rastet ndaj gazetarëve

Written by

in

Në reagimin e tij, IKD thekson se institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë që gazetarët ta ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa presion për t’u tërhequr nga qëndrimet e tyre.

Sa i përket rastit të Fidan Jupollit, IKD vlerëson se situata lidhet me qëndrimet e tij publike për zhvillimet në vend. Sipas institutit, shqetësimi i ngritur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për integritetin fizik të gazetarit dhe familjes së tij kërkon trajtim urgjent dhe serioz institucional. IKD paralajmëron se etiketimi i gazetarëve si të lidhur me interesa armiqësore për shkak të qëndrimeve të tyre mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Për rastin e Lirim Mehmetajt, IKD thekson se gazetari ka deklaruar se është kërcënuar pas refuzimit për ta larguar një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci. Ndalimi i Gani Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kanosje, sipas IKD-së, duhet të pasohet nga një hetim i plotë dhe i paanshëm, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.

IKD rikujton se nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave, ndërsa neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron edhe shprehjet që shqetësojnë, kritikën e ashpër dhe satirën politike, brenda kufijve të përcaktuar nga Konventa.

Sipas IKD-së, mospajtimi me një gazetar nuk i jep askujt të drejtën për ta kërcënuar apo për t’ia diktuar përmbajtjen. Instituti thekson se gazetarët kanë përgjegjësi profesionale dhe se puna e tyre mund të kritikohet, ndërsa pretendimet për shpifje ose cenim të reputacionit duhet të adresohen përmes mjeteve ligjore.

IKD i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të distancohet menjëherë nga këto veprime, t’i dënojë publikisht dhe të kërkojë ndaljen e tyre. Instituti e cilëson heshtjen e Qeverisë si një qëndrim që ushqen perceptimin e tolerimit dhe mund t’u japë shtysë atyre që ushtrojnë presion ndaj gazetarëve.

Po ashtu, IKD u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga kërcënimet dhe fushatat linçuese të mbështetësve të tyre, pavarësisht autorëve dhe qëndrimeve të gazetarëve.

Reagim publik dhe pa vonesë, IKD kërkon edhe nga presidentja e re e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Sipas institutit, duke u mbështetur në rolin e saj kushtetues, presidentja duhet t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë nga institucionet përgjegjëse mbrojtjen efektive të gazetarëve.

Në fund, IKD ka kërkuar nga Policia dhe Prokurori i Shtetit që të zhvillojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive për kërcënimet, të bëjnë vlerësimin e rrezikut dhe, sipas nevojës, të ndërmarrin masa mbrojtëse, përfshirë edhe për familjarët e gazetarëve të ekspozuar.

Burimi: RTKLive