IKShPK ka bërë me dije se nga 16.04.2026 e deri më 22.11.2026 në Kosovë janë konfirmuar 381 raste, prej të cilave 45 vetëm në javën e fundit.
Pjesa dërrmuese e të prekurve me fruth, raportohet të jenë fëmijë.
IKShPK shpjegon se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Me këtë rast, Instituti ka bërë thirrje për vaksinim si masë parandaluese ndaj fruthit.
“Vaksinimi në kohë është mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjen dhe për të mbrojtur jo vetëm fëmijët, por edhe komunitetin. IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin e rregullt dhe vaksinimin plotësues për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e vaksinës MMR. Gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 4,187 fëmijë të moshës 2–5 vjeç përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se duke pasur parasysh përhapjen e fruthit, rekomandohet kujdes i shtuar për fëmijët nën moshën 12 muaj, të cilët ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR, duke kufizuar sa të jetë e mundur ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
Burimi: RTKLive
