
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të ndërmarrin masa të shtuara për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për erëra të forta gjatë ditës së nesërme.
Vëmendje e veçantë, Inspektorati thotë se kërkohet në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara ndaj erërave.
Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të tregojnë përgjegjësi dhe të shmangin aktivitetet e punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet në apelin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Institucioni thekson se mbrojtja e punëtorëve duhet të jetë prioritet, pavarësisht rrethanave dhe kushteve atmosferike.