Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy objekte ndërtimi, një në komunën e Prishtinës dhe një tjetër në komunën e Vitisë, pas konstatimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimet për ndalimin e punimeve janë marrë pas inspektimeve të realizuara në terren, ku janë evidentuar mangësi në zbatimin e masave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP).
Punimet në të dy objektet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e punëtorëve në vendet e punës.