Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka prezantuar në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) përparimin e Kosovës drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas njoftimit të BQK-së, Ismaili mori pjesë në Seminarin e Këshillit të Përgjithshëm me bankat qendrore të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbajtur në Frankfurt.
Gjatë diskutimeve për lidhjet ekonomike dhe financiare me BE-në dhe eurozonën, Ismaili theksoi lidhjet e ngushta ekonomike të Kosovës me BE-në dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit.
“Për Kosovën, integrimi më i thellë me BE-në është një rrugë drejt konvergjencës dhe një burim qëndrueshmërie, konkurrence dhe prosperiteti afatgjatë”, deklaroi Ismaili.
Në diskutimin për zhvillimet në sistemet evropiane të pagesave, ku mori pjesë edhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, guvernatori prezantoi aplikimin zyrtar të Kosovës për përfshirje në SEPA, të dorëzuar më 6 nëntor 2026 në Këshillin Evropian të Pagesave.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e funksionalizimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili përdor platformën TIPS Clone, të zhvilluar dhe operuar nga Banka e Italisë.
Diskutimet përfshinë edhe pagesat e shpejta, euron digjitale dhe zhvillimet në fushën e parasë së bankës qendrore për transaksionet me shumicë.
BQK-ja bëri të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me bankat qendrore dhe institucionet evropiane për ruajtjen e stabilitetit financiar, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e mëtejshëm të sektorit financiar të Kosovës me standardet evropiane.
Burimi: RTKLive
