
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pak më herët doli në një konferencë për media ku tha se punëtorët do të kryejnë punën e tyre për vendosjen e muralit të Nënë Terezës te objekti i Ministrisë së Ekonomisë.
Tashmë aty ka dalë Policia e Kosovës, e cila po provon t’i ndalë punimet, duke thënë se kanë urdhër nga prokurori.
Komuna e Prishtinës po insiston se ky projekt tërësisht është i ligjshëm dhe se ka miratimin e Asamblesë së kryeqytetit.
Derisa Rama iu bëri thirrje punëtorëve të vazhdojnë punimet, komandanti i Policisë iu tha: “Kushdo që thotë vazhdo punën, arrestohet”.
Në pamjet e publikuara dëgjohet komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, duke i thënë Ramës se punimet po ndalen me urdhër të prokurorit.
Rama i kërkon atij që urdhrin ta paraqesë në formë të shkruar, ndërsa më pas u kërkon punëtorëve të vazhdojnë punën.
Pas kësaj, Balaj paralajmëron se kushdo që vazhdon punimet do të arrestohet.
“Me çfarë vendimi arrestoni njerëz?”, dëgjohet duke e pyetur Rama komandantin e Policisë.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, e akuzon Policinë se po përfshihet në çështje politike dhe se po merr urdhra nga Alban Krasniqi, këshilltar i ministres së Ekonomisë dhe bashkëshort i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Burimi: Insajderi