Sulmuesi i Bayern Munichut mbajti fjalimin në ceremoninë e organizuar në Londër, ku kujtoi njerëzit që e kanë ndihmuar gjatë rrugëtimit të tij drejt majave të futbollit.
Kane përmendi disa emra të njohur të trajnerëve me të cilët ka punuar, përfshirë Harry Redknappin, Mauricio Pochettinon, Antonio Conten dhe Mourinhon, i cili aktualisht drejton Real Madridin.
“Dua të falënderoj disa nga trajnerët që më kanë ndihmuar gjatë rrugëtimit tim. Nëse harroj dikë, kërkoj sinqerisht falje”, u shpreh kapiteni i Anglisë.
Ai theksoi se secili prej tyre ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij profesional dhe personal.
“Secili prej jush ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin tim, në etapa të ndryshme të jetës sime. Pa ju, nuk do të isha këtu sot”, deklaroi Kane.
Sulmuesi anglez shtoi se puna me trajnerë dhe njerëz të nivelit të lartë e ka ndihmuar të përmirësohet vazhdimisht.
“Kam mësuar shumë. Kur rrethohesh nga njerëzit dhe trajnerët më të mirë, bëhesh një person dhe lojtar më i mirë. Ju falënderoj shumë”, tha ai.
Kane ka folur edhe më herët me vlerësim për marrëdhënien me Mourinhon gjatë periudhës së tyre te Tottenhami, nga viti 2019 deri në vitin 2021. Nën drejtimin e portugezit, sulmuesi jo vetëm që vazhdoi të shënonte gola, por u zhvillua edhe në aspektin e krijimit të rasteve për bashkëlojtarët.
Në fjalimin e tij, fituesi i çmimit prestigjioz kujtoi gjithashtu vështirësitë që ka kaluar përpara se të arrinte në majat e futbollit botëror.
“Rrugëtimi im nuk ishte i lehtë dhe as i drejtpërdrejtë. Nuk isha një fëmijë që arriti menjëherë në majë. Më është dashur të kaloj momente të vështira, përvoja të ndryshme dhe huazime, si dhe të luftoj për të arritur nivelin më të mirë që po tregoj sot”, përfundoi Kane, duke shprehur shpresën se historia e tij do të shërbejë si frymëzim për të tjerët.
Burimi: RTKLive
