
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka arritur një person që kishte udhërarrest gjykate.
Sipas njoftimit, prangosja e tij ka ardhur pas informatës nga zyrtarët e inteligjencës së stacionit se personi i dyshuar po lëvizte me një automjet në territorin e Prizrenit.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit lidhur me identitetin e personit dhe lokacionin e tij, patrulla policore është vënë në veprim. Brenda një kohe të shkurtër është lokalizuar dhe ndaluar automjeti i dyshuar, si dhe janë kontrolluar tre personat që ndodheshin në të.”, thuhet në njoftim.
Pas identifikimit, sipas njoftimit, është konstatuar se drejtuesi i automjetit, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe se i njëjti ishte i dënuar me vendim të formës së prerë me pesë vjet burgim efektiv për vepra penale që lidhen me narkotikët.
“Së bashku me personin e kërkuar në automjet gjendeshin edhe dy persona të tjerë. Gjatë kontrollit, tek njëri prej tyre është gjetur dhe është sekuestruar një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 7 gramë. Personi i dyshuar, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme. Ndërkaq, personi i tretë, pas verifikimeve të nevojshme, është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.