Ylli francez i Bayern është ndëshkuar me karton të kuq për herë të parë në karrierën e tij si futbollist profesionist, pasi ka marrë dy kartonë të verdhë brenda një kohe të shkurtër.
Olise fillimisht e ka tërhequr për fanellë Henrik Heggheim për ta ndalur një kundërsulm të rrezikshëm të Viking. Teksa gjyqtari po i tregonte kartonin e parë të verdhë, francezi e ka humbur qetësinë dhe ia ka hedhur topin në fytyrë kapitenit Tripic.
Ky veprim i ka kushtuar shtrenjtë, pasi gjyqtari i ka treguar menjëherë kartonin e dytë të verdhë dhe më pas të kuqin.
Pas ndeshjes, Tripic ka pranuar se skuadra e tij kishte synuar ta nxirrte Olise nga loja e zakonshme përmes provokimeve.
“Është bukur kur një lojtar i tillë, i cili një ditë ka shumë gjasa ta fitojë ‘Topin e Artë’, nervozohet nga një djalë nga Oftebro dhe Lyngdal. Arrita ta nervozoj. Nuk mund të luash në mënyrë të drejtë kundër një skuadre si Bayern”, ka thënë Tripic.
Tridhjetë e tre vjeçari ka shtuar se Olise nuk duhej të ndihej shumë rehat në fushë dhe se, duke e shpërqendruar nga ajo që e bën më së miri, arriti ta çonte drejt humbjes së kontrollit.
“Kur arrita ta shpërqendroja nga ajo që e bën jashtëzakonisht mirë, ai e humbi qetësinë dhe ma hodhi topin në fytyrë. Mendoj se e fitova atë duel me të”, ka deklaruar kapiteni i Viking.
Edhe drejtuesit e Bayern kanë pranuar se skuadra e tyre kishte rënë në grackën e kundërshtarit. Trajneri Vincent Kompany i ka thënë Olise se futbollisti me numrin dhjetë të Viking ishte më i zgjuar se ai në atë situatë.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, ka pranuar se Tripic kishte arritur atë që synonte: ta provokonte kundërshtarin dhe ta linte Bayern me një lojtar më pak.
Sulmuesi Harry Kane, e ka përshkruar Tripic si një futbollist të guximshëm, i cili di të fitojë goditje dënimi dhe të humbë kohë gjatë ndeshjes.
Barazimi 3:3 ndaj një prej skuadrave më të forta të Evropës përbën një rezultat të rëndësishëm për Viking, ndërsa për Bayern ndeshja ka lënë pas vetes jo vetëm pikët e humbura, por edhe diskutimet për mungesën e qetësisë dhe disiplinës në momente vendimtare.
Burimi: RTKLive
