Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e një muaji paraburgim ndaj ish-deputetit Gani Geci, nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të siguruar nga Dukagjini, Geci dyshohet se më 11 tetor, në zyrat e portalit “Vox Kosova”, e ka kanosur Mehmetajn pasi ky i fundit kishte refuzuar ta largonte ose ta ndryshonte një postim në Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se Geci dyshohet t’i ketë thënë gazetarit: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, si dhe: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Sipas Prokurorisë, një ditë më vonë, Geci kishte shkuar në afërsi të TV Dukagjinit, derisa Mehmetaj ishte pjesëmarrës në emisionin “Debat Plus”, dhe e kishte pritur për rreth dy orë që të dilte nga studioja. Prokuroria pretendon se ai kishte publikuar edhe një video në TikTok për t’i bërë me dije gazetarit se ndodhej aty.
Prokuroria vlerëson se ekziston dyshim i bazuar për veprën penale “Kanosja”, ndërsa kërkesën për paraburgim e mbështet në rrezikun e arratisjes, mundësinë e ndikimit në dëshmitarë ose pengimit të sigurimit të provave, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Në kërkesë thuhet se hetimet nuk kanë përfunduar dhe se duhet të merren deklarata të personave që kanë qenë të pranishëm gjatë takimit në zyrat e “Vox Kosova”, të sigurohen komunikimet elektronike dhe të verifikohet mundësia e sigurimit të pamjeve filmike.
Prokuroria thekson gjithashtu se, sipas vlerësimit të saj, masat alternative nuk janë të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Gani Geci ishte ndaluar më 12 tetor 2026, në orën 23:00, me vendim të Prokurorit të Shtetit. P
Burimi: Dukagjini
