Çdo vit, kur Zyra Federale e Policisë Kriminale boton statistikat e saj të krimit, kryesisht është partia ‘Alternativa për Gjermaninë’ – një pjesë e së cilës është e ekstremit të djathtë – që i shqyrton ato me shumë kujdes. Sa vepra penale i atribuohen refugjatëve, migrantëve dhe të huajve që jetojnë në Gjermani ? Studimet e kryera nga ekspertë të mediave tregojnë se 95 për qind e njoftimeve për shtyp të AfD-së përqendrohen te të dyshuarit jo-gjermanë, ndërsa veprat penale që përfshijnë të dyshuar gjermanë pothuajse injorohen plotësisht.
Megjithatë, narrativa standarde e AfD-së – se jo-gjermanët janë natyrshëm shumë më të dhunshëm – është e rreme. Susann Prätor, sociologe, kriminologe dhe profesoreshë në Akademinë e Policisë së Saksonisë së Poshtme, ka shqyrtuar me hollësi të dhënat e krimit në Gjermani në një studim të ri. Duke vepruar kështu, ajo jo vetëm që ka shqyrtuar atë që njihet si ‘krim i raportuar’ – domethënë, të gjitha shkeljet që kanë dalë në dritë dhe përfshihen në statistikat e krimit të policisë – por edhe ‘krimin e fshehtë’: të gjitha kundërvajtjet që as nuk raportohen e as nuk zbulohen, dhe që për rrjedhojë nuk shfaqen në asnjë statistikë zyrtare, por regjistrohen përmes sondazheve përfaqësuese.
Ajo i tha DW-së: “Po, sipas statistikave të krimit të policisë, personat që nuk janë shtetas gjermanë kryejnë kundërvajtje më shpesh se gjermanët. Por studimet mbi krimin e pazbuluar tregojnë se mundësia që të bëhet një ankesë është më shumë se dyfish më e lartë kundër jo-gjermanëve, të cilët për rrjedhojë janë subjekt i një numri më të madh ankesash. Në krimin e pazbuluar, dallimet midis dy grupeve janë gjithashtu të dukshme, por dukshëm më pak të theksuara.”
Dorasit gjermanë janë subjekt i më pak ankesave
Kështu, vjedhjet e kryera nga shtetas të huaj kanë dy herë më shumë gjasa të shfaqen më pas në statistikat e krimit të policisë sesa ato të kryera nga gjermanët. Megjithatë, po t’i pastrosh statistikat për të marrë parasysh paragjykimin që lidhet me paraqitjen e ankesave, të huajt nuk janë më 2.6 herë më të prirur të implikohen sesa gjermanët, por vetëm 1.7 herë më të prirur.
Kjo shifër gjithashtu përputhet me gjetjet e studimeve mbi krimin e dhunshëm mes të miturve: sipas këtyre studimeve, të rinjtë e huaj kryejnë akte të dhunshme 1.6 herë më shpesh se gjermanët.
‘Të rinj, meshkuj, me pak arsim dhe të prirur ndaj dhunës: këto janë kategori që rrisin mundësinë e sjelljes së dhunshme. Një konceptim i caktuar i maskulinitetit gjithashtu luan një rol, pavarësisht prejardhjes. Por ne nuk vërejmë asnjë faktor kulturor, ndryshe nga paragjykimi se maskuliniteti dhe dhuna luajnë një rol më të madh në kultura të tjera,” shpjegon Prätor, duke iu referuar një sondazhi mbi pranimin e dhunës: sipas saj, 5 për qind e të rinjve gjermanë janë në favor të saj, krahasuar me 10 për qind të jo-gjermanëve – dy herë më shumë, por, sipas kriminologëve, jo mjaftueshëm për të përmendur kulturën si model shpjegues. Përkundrazi, duket se një faktor tjetër është vendimtar.
Veprimet e dhunës nga të rinjtë kanë rënë gjatë dekadave të fundit
‘Edukimi familjar luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrimeve të tilla të dhunshme. Në të vërtetë, qëndrimet ndaj dhunës formohen brenda familjes. Nëse unë vetë jam dëshmitar i dhunës midis prindërve të mi, kam një marrëdhënie të ndryshme me dhunën sesa nëse nuk e kam parë.
Gjermania është në rrugën e duhur në këtë drejtim, edhe pse kjo nuk duket gjithmonë kështu aktualisht, thotë Prätor. “Pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë vjet më parë, dhuna prindërore ishte ende shumë më e zakonshme në rritjen e fëmijëve sesa sot. Veprimet e dhunës të kryera nga të rinjtë janë gjithashtu shumë më të rralla sesa në vitet 1990 ose në fillim të viteve 2000.”
Susann Prätor deklaron se qëllimi i saj kryesor është të ndihmojë në sjelljen e objektivitetit në debat. Mënyra se si aktet serioze të dhunës – të tilla si dëmtime të rënda trupore, vrasje pa dashje ose vrasje – regjistrohen në dokumentet e policisë dhe pasqyrohen në statistikat e krimit është një shembull i kësaj.
“Nga çdo 100 shtetas gjermanë, 0,2 për qind kryejnë vepra të dhunshme penale; ndër shtetasit jo-gjermanë, kjo shifër rritet në 0,6 për qind.” Megjithatë: “Më shumë se 99 për qind e njerëzve që jetojnë këtu në Gjermani, qofshin me origjinë gjermane apo jo – domethënë, shumica dërrmuese e popullsisë së vendit – nuk kryejnë absolutisht asnjë vepër të rëndë penale të dhunshme.”
Gjermania duhet të dyfishojë përpjekjet parandaluese
Thirrja e kriminologes, e cila gjithashtu trajnon oficerë policie të ardhshëm: politikanët duhet t’i japin më shumë rëndësi aspekteve pozitive të migracionit; debati mbi imigracionin është tepër i ngarkuar me negativitet për shkak të fokusit të ngushtë në statistikat e krimit të policisë. Shumica dërrmuese e jo-gjermanëve bëjnë një punë të mirë dhe po integrohen shumë mirë. Sidoqoftë, mbi të gjitha, qeveria duhet të investojë më shumë në parandalim.
“Duke ndërhyrë sa më herët të jetë e mundur me fëmijët dhe adoleshentët, duke forcuar aftësitë e tyre sociale që nga kopshti, duke vazhduar këtë përpjekje në shkollë, dhe duke reaguar kur ndodhin incidente të dhunshme”.
Është gjithashtu e rëndësishme të investohet në infrastrukturë dhe aktivitete rekreative në rajone të caktuara. “Në të vërtetë, një nga faktorët kryesorë pas dhunës mes të rinjve, pavarësisht prejardhjes së tyre, është mungesa e një rutine të përditshme konstruktive”, thotë ekspertja.
Burimi: RTKLive
