Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec, Lirigzon Kastrati, i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës intervenim urgjent për sanimin e shembjes së rrugës rajonale R-204, në segmentin Rahovec–Krushë e Madhe, në fshatin Brestoc.
Kastrati ka bërë të ditur se më 26 tetor ia ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe kabinetit të tij.
Në kërkesën e tij, Kastrati ka theksuar se problemi në këtë rrugë është i pranishëm tash e gjashtë vjet dhe se gjendja është përkeqësuar vazhdimisht si pasojë e vërshimeve të përsëritura.
Sipas tij, dëmtimi i trupit të rrugës paraqet rrezik për jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, ndërsa shqetësimet i kanë ngritur vazhdimisht edhe banorët e fshatrave Hoçë e Vogël, Brestoc, Nagavc dhe Krushë e Madhe.
Kastrati ka bërë të ditur se banorët e zonës i kanë dorëzuar më herët ministrisë një kërkesë me mbi 300 nënshkrime, por, sipas tij, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Përmes kërkesës, ai ka kërkuar inspektimin urgjent të segmentit të dëmtuar, ndërmarrjen e masave për eliminimin e rrezikut, sanimin e shembjes dhe shqyrtimin e kërkesës së banorëve.
“Th eksojmë se gjashtë vite pritje janë të mjaftueshme. Siguria e qytetarëve nuk mund të mbetet peng i zvarritjeve institucionale dhe i mungesës së një zgjidhjeje përfundimtare”, thuhet në kërkesën e Kastratit.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës që çështjen ta trajtojë me prioritet dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar qarkullimin e sigurt në këtë segment rrugor. /Telegrafi/