Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se, pas hetimeve të vazhdueshme dhe intensive lidhur me rastin e zbulimit të gjysmë ton marihuanë në Maqitevë të Suharekës, ka arrestuar dy persona, M.A., dhe B.A., nën dyshimin për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e substancave narkotike.
Ky rast lidhet me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të zhvilluar më 16 shtator 2025 në një shtallë në zonën malore të fshatit Maqitevë, ku ishte zbuluar dhe sekuestruar mbi gjysmë ton marihuanë.
Gjatë aksionit, përveç substancës narkotike, ishin sekuestruar: një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë të pushkës, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune të përdorura për kultivim dhe përpunim, pajisje kompjuterike, si dhe prova të tjera materiale. Ndërsa Prokuroria, kishte lëshuar urdhër të përkohshëm për sekuestrimin ose ngrirjen e dy parcelave në këtë fshat, me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit M.A. dhe B.A., kanë vepruar në bashkëkryerje me F.N., me qëllim të kultivimit të kanabisit dhe përgatitjes së narkotikëve për shitje dhe shpërndarje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 i KPRK-së.
Gjithashtu, M.A., dyshohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 i KPRK-së, pasi gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, më 26 tetor 2026, është sekuestruar një pushkë gjysme automatike me shtatë fishekë.
Po ashtu, B.A., dyshohet për të njëjtën vepër penale, pasi gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, në shtator të vitit 2025, është sekuestruar një pushkë gjuetie një tytëshe.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Burimi: RTKLive
