KFOR-i ndërron komandantin e MSU-së, Chenet pason Di Fioren në krye të njësisë që monitoron sigurinë në veri

KFOR-i ndërron komandantin e MSU-së, Chenet pason Di Fioren në krye të njësisë që monitoron sigurinë në veri

Written by

in

Në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it në Prishtinë është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës, gjatë së cilës koloneli Gianfranco Di Fiore ia ka dorëzuar detyrën e komandantit të regjimentit kolonelit Steven Chenet.

Ceremonia është udhëhequr nga komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë komandimit të kolonelit Di Fiore, Regjimenti MSU ka kontribuar në aktivitetet e përditshme të misionit përmes pranisë së vazhdueshme në terren, patrullimeve në këmbë dhe me automjete, si dhe monitorimit të situatës së sigurisë, me fokus të veçantë në veri të Kosovës.

Njësia ka zhvilluar gjithashtu iniciativa në mbështetje të institucioneve dhe komuniteteve lokale, me synimin e ndërtimit të besimit ndërmjet qytetarëve.

Në kuadër të aktiviteteve të saj, MSU ka marrë pjesë edhe në trajnime dhe ushtrime të përbashkëta me njësitë e tjera të KFOR-it, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policinë e Kosovës.

Këto aktivitete, sipas KFOR-it, synojnë forcimin e bashkëpunimit, koordinimit operacional dhe ndërveprueshmërisë, si dhe rritjen e aftësive për reagim ndaj sfidave të sigurisë.

Me këtë rast, gjeneralmajori Roberto Vergori ka vlerësuar kontributin e pjesëtarëve të MSU-së në misionin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar se puna e tyre duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi, përkushtimi, disiplina dhe paanshmëria.

“Ky është thelbi i misionit tonë: t’u shërbejmë dhe t’i mbrojmë qytetarët e Kosovës, pa dallim dhe me paanshmëri absolute”, ka deklaruar Vergori.

Ai ka theksuar se besueshmëria nuk fitohet vetëm përmes deklaratave, por ndërtohet përmes veprimeve, vendimeve dhe mënyrës se si pjesëtarët e misionit i përmbushin përgjegjësitë e tyre të përditshme.

Sipas tij, angazhimi i përbashkët i pjesëtarëve të KFOR-it kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) përbëhet kryesisht nga pjesëtarë të Karabinierëve italianë, ndërsa në përbërje ka edhe pjesëtarë të policisë ushtarake nga vende të tjera.

Ajo i ofron KFOR-it kapacitete të specializuara, veçanërisht në menaxhimin e rendit publik dhe kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC).

Përmes këtyre kapaciteteve, MSU kontribuon në zbatimin e mandatit afatgjatë të KFOR-it, të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.