
Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj ka rrëfyer ekskluzivisht për Klan Kosovën detaje nga procesi gjyqësor në Hagë ndaj tij, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për administrimin e drejtësisë.
Kilaj, ka qenë i vetmi që është shpallur i pafajshëm në këtë rast, derisa të tjerët janë dënuar, përfshirë edhe Thaçin, i cili është gjykuar me 17 muaj burgim.
Kilaj ka thënë se pas më shumë se tri vitesh i është hequr barra e akuzës nga Specialja, derisa ka thënë se kur kishte shkuar në ditën e aktgjykimit, kishte marrë me vete rroba shtesë dhe të holla, pasi mendonte se do të dënohej.
“Në bisedë me avokatin, ai më sugjeroi që të marrë rroba shtesë me vete dhe të holla, sepse verditki mund të jetë dënues. Pak kanë besuar që do të kthehem në shtëpi. E pata fatin dhe provat floën në favor timin. Nuk do të thotë që për të tjerët kanë folur prova ndëshkuese, por është një gjykatë që për një fjalë goje dënon.”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Ai ka thënë se të gjithë të akuzuarit nga Specialja edhe në rastet e tjera janë të pafajshëm, duke shtuar se ata po përballen me akuza të paqena dhe të padrejta. /Klankosova.tv