
Flamuri kuq e zi këtë 28 nëntor është valëvitur nga Presheva në Tetovë.
Në Vlorën e Ismail Qemalit, u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, presidentja Justina Shiroka-Pula, homologët e tyre shqiptarë, Edi Rama e Bajram Begaj, mes tjerësh.
Kjo festë e mbarë shqiptarëve është shënuar nga aktivitete të ndryshme edhe në Luginën e Preshevës. Kryetarja Ardita Sinani ka vendosur flamurin me shqiponjën dykrenore në krye të ndërtesës së komunës. Përgjatë rrugëve janë vendosur dhe imazhe të heronjve tanë kombëtarë në përshkrimin “Nëntor Lugine”, raporton “Abcnews“.
Ky nëntor u shoqërua me një dhimbje kolektive për shqiptarët e kudondodhur pas vendimit të padrejtë të Gjykatës së Hagës mbi 4 ish-çlirimtarët e Kosovës. Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë mori pjesë si çdo vit në homazhe në Prekaz, ku ndodhet shtëpia e kthyer në memorial nderi e komandantit dëshmor Adem Jashari dhe familjes së tij.
Prekazi zhvilloi gjithashtu një maratonë “Vrapo për flamurin” deri në 28 kilometra.
Prishtina është veshur kuq e zi, dhe monumenti NewBorn është ngjyrosur në kuadër të Ditës së Flamurit. Gjysmë i kuq e gjysmë i zi, logoja e UÇK-së ka marrë qendrën e vëmendjes këtë vit, si pasojë e vendimit të rëndë dhe të padrejtë të Gjykatës së Hagës mbi ish-krerët e Ushtrisë së Çlirimit.
Në Prizren, me rastin e 28 Nëntorit, u përurua shtatorja dhe sheshi që merr emrin e Shën Nënë Terezës. Ceremonia e përurimit u zhvillua pranë Katedrales në Prizren.
Tetova e ka shpallur krejt muajin festë. Me logon “Nëntori në Tetovë”, këto aktivitete të zhvilluara nga Komuna e Tetovës kulmojnë me festat kombëtare. Me titullin “Flamuri na bashkon”, një marsh festiv dhe program artistik po zhvillohet në qendër të qytetit me pjesëmarrjen e gjimnazeve të qytetit dhe grupeve të ansamblit. /abcnews