
Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt po shqyrton angazhimin e tre ekspertëve të jashtëm, të cilët do ta ndihmojnë punën e tij në tri fusha: atë penale, sociale dhe të dhunës në familje.
Në mbledhjen e komisionit, nënkryetari Adnan Rrustemi tha se, në përputhje me vendimin e marrë më herët, nevojitet angazhimi i ekspertëve me përvojë në këto fusha, për të ndihmuar në shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përkatëse.
“Në përputhje me vendimin e komisionit, neve na duhet angazhimi I tre ekspertëve ne tre fusha të ndryshme. E para, një ekspert i fushës penale që do të na ndihmojë në aspektin e veprimeve dhe mosveprimeve në institucionet e drejtësisë, një aspekt për punë sociale që është i domosdoshëm të na ndihmojë në raportin dhe komunikimin me QPS-në dhe punëtorët social dhe një ekspert për dhunën në familje”, tha Rrustemi.
Anëtarja e komisionit, Besa Kabashi-Rama, theksoi se për dimensionin social duhet të përzgjidhet një kandidat me përvojë në vlerësimin e punës së Qendrave për Punë Sociale dhe në mbrojtjen e fëmijëve.
“Për dimensionin social, kemi nevojë për dikë që ka ekspertizë në vlerësimin e qëndrave për punë sociale dhe dikush që ka pasur eksperiencë në mbrotjen e fëmijëve. Po e shoh të nevojshme se nëse identifikojmë një kandidat që mundet se paku me u përafru, këtu po e shoh si hallkëkn më të sfiduar të kandidatëve”, tha Rama.
Gjatë diskutimeve u përmendën edhe emrat e kandidatëve të mundshëm për këto pozita. Për dimensionin social, Skender Kandiq u propozua si një prej emrave, ndërsa mori mbështetjen e anëtarit të komisionit, Osman Musliu.
Për ekspertizën në fushën penale, Adnan Rrustemi shprehu mbështetje për kandidaten Emina Avdyli.
Ndërkaq, Besa Kabashi-Rama mbështeti Besarta Breznicën për ekspertizën në dhunën gjinore. Për fushën penale ajo përmendi Alban Krasniqin, ndërsa për dimensionin social Shpresa Gjocajn dhe Skender Kandiqin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali