
Kanë përfunduar intervistimet e zyrtarëve lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, ndërsa i fundit që është intervistuar para komisionit ka qenë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kështu bëri të ditur gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, në një lidhje direkte në këtë televizion.
Sipas Tahirit, gjatë raportimit para komisionit, Muhaxheri ka folur ndër të tjera për mungesën e stafit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, duke deklaruar se nuk kanë filluar as procedurat për rekrutimin e punonjësve të rinj.
“Tash kanë përfunduar të gjitha intervistimet për rastin e Arlinda Zekaj. I fundit që është intervistuar është Muhaxheri, kryetari i Pejës, i cili para komisionit tha shumë gjëra duke nisur nga ajo e mungesës së stafit në Qendrën për Punë Sociale, që tha se nuk kanë nisur as procedurat për rekrutimin e stafit të ri… Një gjë e tillë nuk është bërë, për faktin se i njëjti nuk i ka kompetencat sipas tij për të hapur konkursin sepse një gjë e tillë i ka kaluar ministrive…” – tha gazetari.
Para komisionit janë intervistuar edhe zyrtarë të tjerë të Qendrës për Punë Sociale, të cilët kanë deklaruar se në këtë institucion ka munguar psikologu.
“Pati edhe zyrtarë të tjerë të Qendrës për Punë Sociale që u intervistuan. Të njëjtit deklaruan se në Qendrën për Punë Sociale kishte munguar psikologu dhe intervistimi i djalit të Arlinda Zekajt ishte bërë pa praninë e psikologut” – tha mes tjerash Tahiri.
Gazetari bëri të ditur se, ndonëse intervistimet e zyrtarëve nga Peja kanë përfunduar, atyre u janë kërkuar edhe dokumente shtesë.
Ndërkaq, komisioni do të vazhdojë punën edhe të premten, me shqyrtimin e pikave të tjera të parapara në rendin e ditës.
Për më shumë: