
Ersan Qavolli, prokuror dhe Koordinator Kombëtar për rastet e dhunës në familje në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka përcjellë një mesazh kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.
Në një video të publikuar nga UN Women Kosovo, Qavolli ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave, si dhe dhuna në familje, nuk janë çështje private, por vepra penale që kërkojnë reagim të shpejtë dhe serioz nga institucionet.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave dhe dhuna në familje nuk janë çështje private, janë vepra penale që kërkojnë reagim të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm nga institucionet”, ka deklaruar Qavolli.
Ai ka thënë se në përputhje me zotimin e Kryeprokurorit të Shtetit, nuk do të tolerohen neglizhenca dhe lëshimet në trajtimin e rasteve të dhunës.
“Mesazhi ynë është që nuk do të tolerojmë neglizhencën apo lëshimet në trajtimin e këtyre rasteve. Çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe prioritet, çdo rrezik do të vlerësohet dhe për çdo papërgjegjësi institucionale do të kërkohet llogaridhënie”, ka thënë ai.
Qavolli ka theksuar se si koordinator kombëtar për rastet e dhunës në familje, është i angazhuar për një reagim të koordinuar dhe efektiv të institucioneve, nga raportimi i parë dhe mbrojtja e viktimës deri te ndjekja penale e kryerësve.
Ai ka potencuar se viktimat duhet të kenë një ambient të sigurt ku mund ta raportojnë dhunën dhe të marrin mbrojtjen e nevojshme.
“Viktimat duhet të kenë një ambient të sigurt ku mund ta raportojnë dhunën, të dëgjohen, të respektohen dhe të mbrohen pa frikë dhe pa paragjykim”, ka deklaruar Qavolli.
Në fund, ai ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve prokuroriale ndaj këtyre rasteve.
“Qëndrimi ynë është i panegociueshëm: dhuna nuk do të tolerohet, pandëshkueshmëria nuk do të lejohet dhe përgjegjësia do të kërkohet”, ka përfunduar ai.
Burimi: Insajderi