
Ministria e Arsimit në Korenë e Jugut njoftoi se 111 kandidatë u kapën me pajisje inteligjente të paautorizuara gjatë provimit kombëtar të pranimit në universitete.
Autoritetet kishin ndërmarrë masa urgjente për të parandaluar rastet në rritje të kopjimit, veçanërisht përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, transmeton klankosova.tv.
Sipas autoriteteve, pesë prej kandidatëve u kapën në flagrancë duke përdorur pajisje inteligjente gjatë provimit, bëhet e ditur të premten.
Sipas BBC, përpara zhvillimit të provimit, autoritetet njoftuan një sërë masash kundër mashtrimit, përfshirë dërgimin e alarmeve emergjente në çdo telefon celular në vend, me qëllim identifikimin e pajisjeve të paautorizuara në ambientet e provimit.
Të premten, kryeministri Lee Jae Myung kërkoi rishikimin e sistemit të provimeve për t’iu përgjigjur rasteve të kopjimit të mundësuara nga inteligjenca artificiale.
Lee tha se përdorimi i AI-së për të mashtruar në këto teste “lëkund themelet e rendit shoqëror, duke cenuar drejtësinë dhe besimin”.
Shqetësimet për pandershmërinë akademike ishin shtuar gjatë javëve të fundit, pas raportimeve për kandidatë që kishin përdorur mjete të pajisura me inteligjencë artificiale për të kopjuar.
Muajin e kaluar, dy kandidatë u kapën duke kopjuar me syze inteligjente të pajisura me AI gjatë provimeve të pranimit në universitete.
Në fillim të këtij muaji, Ministria e Arsimit e vendit bëri të ditur se katër nxënës të shkollave të mesme dhe të larta ishin kapur këtë vit duke përdorur syze inteligjente për të kopjuar.
Situata mori përmasa edhe më shqetësuese gjatë fundjavës, kur kandidati me rezultatin më të lartë në provimin shtetëror për certifikimin e kontabilistëve tatimorë pranoi se kishte kopjuar duke përdorur një kamerë të vogël, telefon celular dhe mjete të inteligjencës artificiale.
Pranimi nga ana e tij erdhi pas dyshimeve të ngritura për rezultatin jashtëzakonisht të lartë, pasi kishte gabuar vetëm një nga 160 pyetjet.
“Kam përdorur një mikro-kamerë për të fotografuar pyetjet e testit dhe për t’ia dërguar një sistemi të inteligjencës artificiale. Më pas kontrolloja përgjigjet në telefonin tim për të kopjuar”, deklaroi kandidati 34-vjeçar Han Won-seok në një video të publikuar të dielën. /Klankosova.tv