
Një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve për çështje financiare dhe nënshkrimin e një kredie dyshohet se ka përfunduar me dhunë fizike në mes të Pejës. Edhe pse fillimisht çifti u kishte thënë policëve se nuk kishte asnjë problem, shenjat në fytyrën e gruas dhe pamjet e siguruara nga qytetarët kanë zbuluar dyshime për një ngjarje tjetër, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, rreth orës 10:30, në rrugën “Adem Jashari” në Pejë.
Sipas burimeve të Sinjalit, të përfshirë në këtë rast janë një burrë rreth 25 vjeç dhe bashkëshortja e tij, rreth 20 vjeçe, të identifikuar me inicialet B.K. dhe A.S.
Policia ishte njoftuar për një incident dhe kishte dërguar një patrullë në vendin e ngjarjes, ku kishte kontaktuar me çiftin.
Kur zyrtarët policorë i kishin pyetur se çfarë kishte ndodhur, të dy kishin deklaruar se nuk kishin ndonjë problem.
Por policët kishin vërejtur se gruaja kishte shenja të dukshme në fytyrë, përfshirë skuqje në mollëzën e faqes së majtë.
Për këtë arsye, burri është arrestuar dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ndërsa gruaja është shoqëruar veçmas nga një patrullë tjetër.
Hetimet kanë zbuluar edhe një detaj të rëndësishëm – qytetarët kishin regjistruar pamje të incidentit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Policia ka marrë disa incizime nga qytetarët, në të cilat, sipas përshkrimit policor, shihet i dyshuari duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe intervistuar edhe dëshmitarë.
Gjatë intervistimit, gruaja ka deklaruar se mes saj dhe bashkëshortit kishte lindur një mosmarrëveshje e çastit lidhur me gjendjen financiare dhe nënshkrimin e një kredie.
Sipas saj, përplasja verbale kishte përshkallëzuar në dhunë fizike.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se kjo ishte hera e parë që bashkëshorti kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
Pas incidentit, gruaja ka shprehur dëshirën të qëndrojë pranë familjes së saj.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Hetimet për rastin do të vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali