Koreja e Veriut dëbon diplomatin zviceran dhe urdhëron mbylljen e zyrës së re në Phenian

Koreja e Veriut dëbon diplomatin zviceran dhe urdhëron mbylljen e zyrës së re në Phenian

Written by

in

Koreja e Veriut ka urdhëruar Zvicrën të mbyllë zyrën e saj të sapohapur diplomatike në Phenian dhe i ka dhënë drejtuesit të misionit 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Vendimi vjen si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve zvicerane kundër një kampi për fëmijë, të lidhur me Rusinë.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi të mërkurën se një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut kishte thirrur në takim Astier Sylvain, drejtuesin e misionit zviceran, dhe i kishte dorëzuar një kërkesë me shkrim për mbylljen e zyrës. Pheniani e ka shpallur diplomatin zviceran person të padëshiruar.

Ky vendim pason paralajmërimin e së martës nga Kim Yo Jong, motra e liderit Kim Jong Un dhe një prej zërave kryesorë të regjimit në politikën e jashtme. Ajo i cilësoi sanksionet zvicerane si “veprim të hapur armiqësor” dhe shkelje të sovranitetit të Koresë së Veriut.

Dëbimi ndodh vetëm pesë javë pas rifillimit të funksionimit të misionit zviceran në Phenian, transmeton Telegrafi.

Zvicra e hapi zyrën më 19 tetor, kur ministri i Jashtëm, Ignazio Cassis, vizitoi Phenianin dhe u takua me zyrtarë të lartë të Koresë së Veriut, përfshirë homologen e tij, Choe Son Hui.

Sipas KCNA-së, në takime u diskutua për “promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit”. Zyra i raporton ambasadës zvicerane në Pekin, ndërsa autoritetet në Bernë kishin deklaruar se hapja e saj do të ndihmonte në krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta me zyrtarët koreano-veriorë.

Zvicra ka marrëdhënie diplomatike me Korenë e Veriut që nga viti 1974 dhe është ndër të paktat vende perëndimore që vazhdon të mbajë një kanal komunikimi me Phenianin.

– YouTube www.youtube.com

Agjencia zvicerane për zhvillim kishte drejtuar një zyrë bashkëpunimi në Phenian nga viti 1997, kryesisht për çështje humanitare, deri në mars të vitit 2020, kur Koreja e Veriut mbylli kufijtë për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministria e Jashtme zvicerane deklaroi të martën se dëshiron t’i mbajë të hapura kanalet e dialogut, pavarësisht dallimeve politike.

Ajo theksoi se rihapja e zyrës është çështje e ndarë nga politika e sanksioneve të Zvicrës, qoftë për masat e OKB-së lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut, apo për sanksionet e BE-së që Berna i ka miratuar pas pushtimit rus të Ukrainës.

Zvicra së fundmi e ka përfshirë në listën e sanksioneve Kampin Ndërkombëtar të Fëmijëve Songdowon, në qytetin bregdetar Wonsan, për shkak të lidhjeve të tij me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Autoritetet zvicerane thonë se kampi është pjesë e programeve përmes të cilave fëmijë ukrainas nga territoret e pushtuara nga Rusia dërgohen në Korenë e Veriut, ku ekspozohen ndaj propagandës proruse.

Mbretëria e Bashkuar e sanksionoi kampin në maj, ndërsa Bashkimi Evropian ndërmori të njëjtin hap në shtator, duke ngrirë asetet e tij dhe duke ndaluar transaksionet financiare me të. Megjithatë, duke pasur parasysh lidhjet e kufizuara financiare të Koresë së Veriut me Evropën, ndikimi praktik i këtyre masave mbetet i paqartë.

Kim Yo Jong deklaroi se kampi shërben për një bashkëpunim “legjitim” mes Phenianit dhe Moskës. Ajo nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave perëndimore se fëmijët ukrainas të rrëmbyer janë dërguar atje për t’iu nënshtruar programeve të riedukimit.

Gjatë luftës në Ukrainë, Koreja e Veriut është afruar gjithnjë e më shumë me Rusinë, duke dërguar mijëra trupa dhe sasi të mëdha armësh për të mbështetur pushtimin e Vladimir Putinit. Në këmbim, Pheniani mund të ketë përfituar ndihmë dhe teknologji ushtarake.

Marrëdhëniet më të afërta me Moskën dhe Pekinin kanë mbështetur politikën e jashtme gjithnjë e më të ashpër të Kim Jong Unit, i cili synon t’i japë fund izolimit të vendit dhe ta paraqesë atë si pjesë të një blloku që kundërshton ndikimin e Washingtonit. /Telegrafi/