Kosova dhe Shqipëria bashkojnë forcat kundër kërcënimeve kibernetike, Jagxhiu paralajmëron për rreziqet nga inteligjenca artificiale

Kosova dhe Shqipëria bashkojnë forcat kundër kërcënimeve kibernetike, Jagxhiu paralajmëron për rreziqet nga inteligjenca artificiale

Written by

in

Kosova dhe Shqipëria bashkojnë forcat kundër kërcënimeve kibernetike, Jagxhiu paralajmëron për rreziqet nga inteligjenca artificiale

Kosova dhe Shqipëria po intensifikojnë bashkëpunimin institucional në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së informacionit, përballë kërcënimeve në rritje që sjellin zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka marrë pjesë në konferencën “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK-ut”, të organizuar në Tiranë nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të të dyja vendeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Në konferencë morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe përfaqësues institucionalë nga Maqedonia e Veriut.

Jagxhiu theksoi se transformimi digjital duhet të shoqërohet me forcimin e mekanizmave të sigurisë, veçanërisht në mbrojtjen e të dhënave qeveritare, personale dhe infrastrukturës kritike.

Ai bëri të ditur se Kosova po punon në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe themelimin e Qendrës Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë.

Inteligjenca artificiale, mundësi por edhe kërcënim për sigurinë kombëtare

Ministri paralajmëroi se, krahas përfitimeve që sjell inteligjenca artificiale, kjo teknologji mund të përdoret edhe për realizimin e sulmeve kibernetike më të sofistikuara.

Sipas tij, vendosja e të dhënave të ndjeshme qeveritare dhe informacioneve të klasifikuara në platforma të paautorizuara të inteligjencës artificiale mund të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare.

Jagxhiu nënvizoi se kërcënimet kibernetike dhe hibride nuk njohin kufij shtetërorë, ndaj shkëmbimi i informacionit, ekspertizës dhe koordinimi institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë thelbësorë për sigurinë e të dyja vendeve.

Në prag të 28 Nëntorit, ministri vlerësoi se lidhjet historike dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të konkretizohen edhe përmes bashkëpunimit në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe interesave të përbashkëta strategjike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: Sinjali