Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, ambasadori Blaj i ka uruar suksese ministres Rizvanolli në mandatin e saj, duke rikonfirmuar përkushtimin e Sllovenisë për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën.
Sipas njoftimit, palët kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht në fushën e tregtisë, ndërsa kanë diskutuar mundësitë për zgjerimin e tij edhe në sektorë të tjerë, me theks të veçantë në energji.
Një nga temat e takimit ishte edhe organizimi i edicionit të dytë të “Slovenia-Kosovo Business Day”, i cili pritet të mbahet në fund të nëntorit. Kjo ngjarje synon të sjellë në Kosovë përfaqësues të kompanive sllovene dhe të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim dhe investime.
Fushat ku pritet të zhvillohen mundësi të reja bashkëpunimi përfshijnë bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, tregtinë, mjekësinë dhe energjinë.
Ndërkaq, ministrja Rizvanolli e ka njoftuar ambasadorin për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, përfshirë ankandet që janë duke u zhvilluar për kapacitete të reja në energjinë e ripërtërishme.
Me këtë rast, ajo ka ftuar kompanitë sllovene që të marrin pjesë në ankandet e ardhshme, duke theksuar se Kosova po krijon mundësi të reja investimi në sektorin e energjisë së pastër dhe se ekspertiza e kompanive sllovene do të ishte e mirëpritur.
Takimi është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për thellimin e partneritetit ekonomik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë. /Telegrafi/