​Kosova mungon në hartën e një mekanizmi evropian, Krasniqi kërkon sqarime nga zyrtarja e EBU-së

​Kosova mungon në hartën e një mekanizmi evropian, Krasniqi kërkon sqarime nga zyrtarja e EBU-së

Written by

in

Mungesa e Kosovës në hartën e paraqitur gjatë prezantimit të një mekanizmi evropian ka nxitur reagimin e prsidentit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Skender Krasniqi, në Forumin e 20-të të Mediave të Evropës Juglindore (SEEMF), që po mbahet në Shkup.

Gjatë prezantimit të Michelle Roverelli, drejtoreshë për Marrëdhënie me Anëtarët dhe Komunikim në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Krasniqi ka ngritur pyetjen se përse Kosova nuk është përfshirë në hartën e paraqitur.

Në përgjigjen e saj, Roverelli ka thënë se Kosovën e kishte gjetur të përfshirë në mekanizma të tjerë, pa dhënë, sipas informacioneve të disponueshme, një shpjegim më të hollësishëm për mungesën e saj në hartën konkrete.

Ky diskutim është zhvilluar në kuadër të forumit ndërkombëtar që mbledh përfaqësues të mediave, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve evropiane për të diskutuar të ardhmen e gazetarisë, sigurinë dhe rolin e komunikimit në Evropë.

Sipas agjendës zyrtare, Roverelli, e cila ushtron funksionin e drejtoreshës për Marrëdhënie me Anëtarët dhe Komunikim në EBU, me seli në Gjenevë, ishte e ftuar të mbante një prezantim kryesor nga ora 11:00 deri në 11:20.

Ndërkaq, Skender Krasniqi, president i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ishte përfshirë në agjendën e forumit edhe si një nga pjesëmarrësit në intervistën publike me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Forumi i sivjetmë zhvillohet nën moton “Më afër rajonit, më të fortë në Evropë: Roli i komunikimit dhe mediave në forcimin e imazhit, qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Evropës”.

Në programin e konferencës janë përfshirë diskutime për të ardhmen e mediave publike, komunikimin e idesë evropiane në epokën digjitale dhe të inteligjencës artificiale, gazetarinë hulumtuese dhe sigurinë në kohë lufte.

Aktiviteti organizohet në Shkup më 17 nëntor, ndërsa punëtoritë e forumit janë paraparë të vazhdojnë më 18 dhe 19 nëntor 2026. /Kp/