Kosova U21 pëson humbje nga Luksemburgu në miqësoren në Prishtinë

Kosova U21 pëson humbje nga Luksemburgu në miqësoren në Prishtinë

Written by

in

Kombëtarja e Kosovës U21 e drejtuar nga Hekuran Kryeziu ka pësuar humbje në miqësoren ndaj Luksemburgut, e zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja përfundoi me rezultat 2-0 në të mirë të mysafirëve.

Luksemburgu kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, kur Mick Kirsch shënoi për 1-0.

Golin e dytë për mysafirët e realizoi sulmuesi shqiptar Flavjo Hoxha, i cili aktivizohet për grupmoshat e reja të Luksemburgut. Ai shënoi në minutën e 65-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar të takimit.

Kosova pati një rast për të barazuar në pjesën e parë, por goli i Eliot Bujupit në minutën e 25-të u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Kjo ndeshje vjen pasi Kosova U21 e kishte përfunduar në tetor ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, që do të organizohet në Shqipëri dhe Serbi, pa arritur të sigurojë kualifikimin.

“Dardanët” e rinj e mbyllën Grupin A në vendin e katërt me 15 pikë, pas katër fitoreve, tri barazimeve dhe tri humbjeve. /Telegrafi/