
Kostoja e konfliktit ushtarak me Iranin për taksapaguesit amerikanë ka arritur në 47.1 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve më të fundit që Pentagoni i ka dërguar Kongresit. Të dhënat e siguruara nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) mbulojnë periudhën deri më 16 tetor dhe pasqyrojnë operacionet ushtarake të nisura në fund të shkurtit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Vetëm nga fillimi i shtatorit, shpenzimet janë rritur me 3.5 miliardë dollarë, kur kjo shifër përllogaritej në 43.6 miliardë dollarë.
Kjo faturë financiare në rritje dhe pasojat ekonomike në çmimet e energjisë janë kthyer në një temë qendrore për zgjedhjet e mesit të mandatit. Presidenti Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit apo intensifikimit të sulmeve pas zgjedhjeve, ndërkohë që trupa dhe mjete të reja ushtarake po dislokohen në Lindjen e Mesme. Sipas një sondazhi të fundit AP-NORC, shumica e votuesve amerikanë kërkojnë që Kongresi t’i japë prioritet përfundimit të këtij konflikti.
Politikisht, opozita demokrate ka shprehur kritikë të ashpër ndaj menaxhimit të situatës nga Shtëpia e Bardhë. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, deklaroi publikisht:
“Trump dhe egoja e tij na çuan në këtë luftë pa asnjë plan, pa autoritet dhe pa strategji daljeje. Demokratët e Senatit do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është në fuqinë tonë për të përfunduar këtë katastrofë lufte dhe për të ndaluar kostot, kaosin dhe korrupsionin që rrjedh nga Shtëpia e Bardhë.”
Struktura e shpenzimeve dhe bilanci njerëzor
Sipas raportimit analitik të Pentagonit, pjesa më e madhe e faturës financiare i shkon zëvendësimit të municioneve ushtarake, me një vlerë prej rreth 29 miliardë dollarësh. Ndër armatimet më të konsumuara janë interceptuesit e mbrojtjes ajrore për sistemet Patriot dhe THAAD, ku një rakete e vetme mbrojtëse Patriot kushton miliona dollarë.
Struktura e detajuar e kostove përfshin zëvendësimi i municioneve rreth 29 miliardë dollarë; operacionet ushtarake rreth 11.9 miliardë dollarë; humbjet e pajisjeve rreth 6 miliardë dollarë; sipas degëve ushtarake Forcat Ajrore kapin 7.6 miliardë dollarë, Ushtria (Forcat Tokësore) mbi 2 miliardë dollarë, ndërsa Marina shënoi 1.45 miliardë dollarë (një ulje nga 2.2 miliardë dollarë sa ishte në shtator).
Vlerësimi financiar nuk përfshin ende dëmet e shkaktuara në bazat ushtarake amerikane në rajon (në Kuvajt, Bahrein, Katar, EBA, Arabi Saudite, Irak, Oman dhe Jordani), të cilat janë goditur nga raketat balistike dhe dronët iranianë.
Në aspektin e bilancit njerëzor, shifrat zyrtare të Pentagonit konfirmojnë 21 pjesëtarë të shërbimit të vrarë dhe 865 të plagosur. Nga personeli i vrarë, 18 prej tyre kanë humbur jetën drejtpërdrejt nga sulmet iraniane, aksidentet ajrore apo gjatë operacioneve të asgjësimit të dronëve. Prania ushtarake po përforcohet me ardhjen e një aeroplanmbajtëseje të tretë në rajon, ndërkohë që administrata ka reduktuar personelin diplomatik në disa ambasada për shkak të kërcënimeve të shtuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali