Mesfushori ofensiv grek po rikuperohet nga një lëndim në kyçin e këmbës, të cilin e ka pësuar më 17 tetor, në ndeshjen kundër Union Berlin, që përfundoi pa gola.
Karetsas, një nga përforcimet e rëndësishme të Dortmund këtë sezon, ka nisur të stërvitet pjesërisht me pjesën tjetër të skuadrës.
“Për herë të parë sot është stërvitur me ekipin. Plani është që, nëse gjithçka shkon mirë të premten, të stërvitet sërish me skuadrën dhe më pas do të vendosim nëse është gati të udhëtojë në Munich”, ka thënë Kovac të enjten.
Futbollisti grek ishte rikthyer në fushë pas një episodi në shtator, kur ishte rrëzuar për shkak të problemeve me qarkullimin e gjakut, sipas njoftimit të klubit.
Borussia Dortmund vjen në këtë përballje pas fitores tre me dy ndaj Werder Bremen të martën, me të cilën është kualifikuar në rundin e tretë të Kupës së Gjermanisë.
Ndeshja e së shtunës pritet të jetë një nga përballjet më të rëndësishme të sezonit në Gjermani. Të dyja skuadrat janë të pamposhtura në Bundesligë dhe kanë nga shtatëmbëdhjetë pikë, por Bayern Munich kryeson tabelën falë golaverazhit më të mirë.
Bayerni ka shënuar njëzet e pesë gola në shtatë ndeshje kampionale, ndërsa Dortmund ka realizuar dymbëdhjetë.
Kovac e ka vlerësuar lart kundërshtarin, por beson se skuadra e tij mund të ketë mundësi për të marrë rezultat pozitiv.
“Është ‘Klassiker’ dhe, pas një kohe të gjatë, mund të luajmë një ndeshje ku jemi me pikë të barabarta. Kjo e bën përballjen më interesante, por jo më të lehtë. Bayern është standardi i artë, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Evropë”, ka deklaruar trajneri i Dortmund. “Ne mund të kemi një mundësi që këtë herë ta kthejmë ndeshjen në favorin tonë, por, siç thashë, nuk do të jetë e lehtë”.
Burimi: RTKLive
