
Në vitin 2019 Bashkim Kelmendi kishte qenë i pajisur me dy leje për armë, pistoletë për shenjëtari dhe me pushkë për gjueti.
Mirëpo, me qëllim të qërimit të hesapeve me fqinjët e tij për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme kishte përdorur armën e zjarrit me leje për shenjëtari.
“Edhe pse i pajisur me leje të armës- pistoletës për shenjëtari në datën 16.05.20219 të njëjtën pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë e ka përdorur pistoletës e prodhimit Turk Girsan 9 mm së bashku me një karikator dhe 14 fishekë duke e bartë dhe duke shtënë nga e njëjta në ditën kritike gjashtë herë me ç’rast me dy presha i shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarës L.B dhe me tytë të postoletës e godet në kokë të dëmtuarin G.B duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe në vendin e ngjarjes gjenden gjashtë gëzhoja, tre fishekë të gjallë”, thuhet në aktgjykim.
Si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit me leje, viktimës L.B i kishte shkaktuar lëndime të rënda.
“Në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarve e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme në mes të pandehurit në njërën anë dhe të dëmtuarve L.B dhe G.B vëlla e motër, në anën tjetër me dashje i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarës L.B në atë mënyrë që pasi vjen deri tek përleshja në mes tyre i pandehuri në një moment e nxjerrë nga brezi pistoletën e modelit Girsan Regard M.C me numër serik të calibrit 9 mm dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarës L.B, me çrast të njëjtën e godet me dy predha dhe atë në regjionet e dy kërcinjve (nën gjunjëve) të këmbëve dhe atë me një predhë në këmbën e djathtë në pjesën e nën gjurit me hyrje nga lartë poshtë dhe me një predhë në zogun e këmbës së majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore e pastaj shtënë edhe katër herë nga pistoleta në drejtim të tokës”, thuhet në aktgjykim.
Më pas me po të njëjtën armë, e kishte goditur në kokë viktimën G.B, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
“..në anën tjetër me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit G.B në atë mënyrë që gjatë përleshjes i pandehuri në një moment me tytë të pistoletës e godet të dëmtuarin në pjesën e sipërme të kokës duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, ndrydhje me plagë çarëse të indeve të buta në regjionin muror të majës së kokës i cili pas pastrimit dhe qepjes së plagës nga Spitali Publik i Pejës lirohet po të njëjtën ditë nga spitali”, thuhet në aktgjykim.
Përveç armës së përdorur për kryerjen e veprave penale, hetuesit policor i kishin sekuestruar edhe armën tjetër atë të gjuetisë si dhe gjashtë fishekë të kalibrit 12 mm.
Gjykata Themelore në Pejë për kryerjen e veprave penale lëndim i rëndë trupor dhe lëndim i lehtë trupor e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim, i cili më pas me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me 4 mijë euro gjobë.
Ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” me 1 mijë euro gjobë.
Pasi të njëjtit i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik prej 2620 euro.
Por Gjykata nuk i kishte shqiptuar dënim plotësuar përmes së cili do t’i revokonte lejen e armën tjetër, atë të gjuetisë, dhe t’ia pamundësonte të njëjtit pajisjen me leje të tjera, përkundër se i njëjti kishte përdorur armën në kundërshtim me ligjin, dhe mund të paraqiste rrezik potencial për personat e tjerë.
Në urdhrin e siguruar nga Dosja, gjykata këtë përgjegjësi ia kishte hedhur prokurorisë, meqë e njëjta nuk kishte kërkuar dënim plotësues.
“..sipas shkresave të lëndës e bashkangjitur aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë dhe për sendet e përshkruara si në dispozitiv të kësaj urdhërese nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk është kërkuar dënim plotësues për konfiskim, dhe të njëjtat nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit në bazë të aktakuzës poashtu që bazuar në dispozitat e nenit 116 par 1 të KPPRK0-së, i dënuari ka të drejtë që të njëjtat t’i kthehen në posedim të lirë”, thuhet në urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Bazuar në dokumentin e siguruar nga Dosja, shihet se më 16 shtator 2020, Kelmendit i ishte lëshuar vërtetimi nga Gjykata Themelore në Pejë se pas pagesës së gjobës prej 2620 euro aktgjykimi ishte bërë i plotfuqishëm më 11 nëntor 2019.
Sipas këtij vërtetimi dënimi me gjobë nuk prodhonte pasoja juridike për të.
I kontaktuar nga Dosja, Kelmendi ka treguar se përveç që e ka rimarrë armën e gjuetisë, sipas tij pas përfundimit të procedurave ka arritur të marrë dhe një armë tjetër me leje.
Dosja ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Gjykata Themelore në Pejë, mirëpo nuk janë përgjigjur.
Njësoj ka vepruar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali