
Një aheng familjar në fshatin Batllavë të Podujevës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi festa është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri. Tre persona kanë përfunduar në stacion policor, ndërsa armët, municioni dhe dhjetëra gëzhoja janë sekuestruar si prova materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personat e dyshuar janë Pajtim Mehanja, rreth 36-vjeçar, Florent Abdullahu, rreth 19-vjeçar dhe Nebih Berisha,rreth 67-vjeçar, të cilët janë identifikuar gjatë ndërhyrjes policore në vendin ku po mbahej ahengu.
Gjithçka ndodhi të premten, më 23 tetor 2026, rreth orës 21:50, kur Policia pranoi një informacion për të shtëna me armë zjarri në Batllavë.
Njësia reaguese, së bashku me ekipin e planit operativ, u nis drejt lokacionit, ku hasi në një aheng familjar gjatë të cilit ishin dëgjuar krismat.
Kontrolli i pjesëmarrësve nxori në pah tri armë dhe një sasi municioni.
Te Pajtim Mehanja është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë CZ e kalibrit 9×19 mm, dy karikatorë, 25 fishekë dhe 33 gëzhoja. Policia ka sekuestruar edhe lejen e armës, e cila ishte në pronësi të tij.
Ndërkaq, te Florent Abdullahu është sekuestruar një pistoletë me gaz, së bashku me një karikator, 15 fishekë dhe tetë gëzhoja.
Arma e tretë është sekuestruar nga Nebih Berisha. Bëhet fjalë për një pistoletë me gaz të tipit Zoraki, me një karikator dhe shtatë gëzhoja.
Të gjitha armët dhe dëshmitë materiale janë sekuestruar përkohësisht, ndërsa tre të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të intervistimit, Prokuroria ka vendosur që Pajtim Mehanja dhe Florent Abdullahu të ndalohen për 48 orë, ndërsa Nebih Berisha të lirohet në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali